Bashkimi Evropian do të nisë një shqyrtim të privilegjeve tregtare të dhëna Izraelit, për shkak të shqetësimeve në rritje për krizën humanitare në Gaza, njoftoi të martën shefja e politikës së jashtme e bllokut, Kaja Kallas.
“Është e qartë nga diskutimi i sotëm se ekziston një shumicë e fortë pro shqyrtimit të Nenit Dy të Marrëveshjes sonë të Asociimit me Izraelin. Prandaj, do ta nisim këtë proces”, tha Kallas në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Jashtme të BE-së në Bruksel.
“Ndërkohë, i takon Izraelit ta zhbllokojë ndihmën humanitare. Shpëtimi i jetëve duhet të jetë përparësia jonë më e madhe”, shtoi ajo.
Kallas e përshkroi situatën humanitare në Gaza si “katastrofike” dhe tha se ndihmat e financuara nga BE po bllokohen nëpër kufij.
“Ndihma që Izraeli ka lejuar të hyjë, sigurisht që është e mirëseardhur, por është vetëm një pikë në oqean. Ndihma duhet të rrjedhë menjëherë, pa pengesa dhe në përmasa të mëdha, sepse kjo është ajo që nevojitet”, tha Kallas.
Ajo theksoi se “mijëra kamionë” janë bllokuar në kufi dhe se “100 kamionët që kanë hyrë janë një hap i mirëpritur, por jo i mjaftueshëm, sepse nevojat janë shumë më të mëdha.”
Kallas tha se vendimi për ta shqyrtuar marrëveshjen dërgon një sinjal të fortë politik nga shtetet anëtare të BE-së. “Nuk do të përmend numra të saktë dhe nuk do të përmend emra shtetesh, por mund të them se ishte një shumicë e madhe që e mbështeti këtë.”
Ndërkohë, sa i përket Sirisë, Kallas konfirmoi vendimin e BE-së për t'i hequr të gjitha sanksionet ekonomike që nuk lidhen me regjimin e rrëzuar të Assadit apo me shkelje të të drejtave të njeriut.
“Shkon çdo gjë mirë me administratën e re siriane? Jo, nuk shkon. Por, mendoj se kemi dy zgjedhje: ose u japim njerëzve sirianë një mundësi… ose nuk ua japim këtë mundësi” u shpreh ajo.
Duke u ndalur tek Ukraina, Kallas deklaroi se BE-ja ka miratuar një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, përfshirë flotën e saj hijë që i shmang sanksionet, si dhe theksoi se blloku tashmë po punon për një paketë tjetër.
“E vetmja zgjidhje është që të ushtrojmë më shumë presion mbi Rusinë që të negociojë seriozisht”, tha shefja e politikës së jashtme e bllokut.
Për sanksionet që lidhen me energjinë, ajo shtoi: “Tavani i çmimit të naftës ka një ndikim të qartë në ekonominë e Rusisë,” duke shtuar se “fondi kombëtar i Rusisë… është pothuajse plotësisht i shteruar.”