194 shtetet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) miratuan zyrtarisht të martën marrëveshjen e parë globale mbi një pandemi, duke shënuar një moment historik në bashkëpunimin global në fushën e shëndetit publik.
Vendimi me konsensus në Asamblenë e 78-të të OBSh-së erdhi pas më shumë se tre vitesh negociatash të nxitura nga pabarazitë dhe boshllëqet e zbuluara gjatë pandemisë COVID-19.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e përshëndeti marrëveshjen, duke e quajtur atë "një fitore për shëndetin publik, shkencën dhe multilateralizmin".
Ai theksoi se marrëveshja do ta përmirësojë aftësinë kolektive të botës për t’i parandaluar dhe për t'iu përgjigjur pandemive të ardhshme.
"Qytetarët, shoqëritë dhe ekonomitë tona nuk duhet të lihen përsëri të cënueshme", tha ai.
E miratuar me konsensus në seancë plenare pas një votimi pothuajse unanim në komision të hënën, i cili mbështeti miratimin e marrëveshjes (124 pro, zero kundër, 11 abstenime), marrëveshja përshkruan parimet dhe mjetet për të siguruar qasje të barabartë në vaksina, trajtime dhe diagnostikime gjatë emergjencave shëndetësore. Ajo synon ta forcojë koordinimin ndërkombëtar dhe të ndërtojë një sistem shëndetësor global më elastik.
Teodoro Herbosa, president i asamblesë së këtij viti, e quajti marrëveshjen një "mundësi që vjen një herë në jetë" për t’i zbatuar mësimet e nxjerra nga COVID-19.
Ai bëri thirrje për zbatimin e shpejtë të sistemit për të siguruar qasje të barabartë në mjetet shpëtimtare të jetës në krizat e ardhshme.
Marrëveshja pohon sovranitetin kombëtar, duke sqaruar se OBSh-ja nuk mund të imponojë politika të brendshme siç janë karantinat ose vaksinimet e detyrueshme.
Hapat e mëtejshëm përfshijnë negociatat për një Sistem të veçantë të Qasjes dhe Ndarjes së Përfitimeve ndaj Patogjenëve (PABS), i cili konsiderohet thelbësor për të siguruar qasje në kohë në materialet biologjike dhe përfitimet përkatëse gjatë shpërthimeve.