Ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të marrë masa konkrete kundër Izraelit për shkak të krizës humanitare në Gaza.
Albares e përshkroi situatën në Gaza si të paqëndrueshme, të padurueshme dhe çnjerëzore.
Duke folur me gazetarët përpara një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel, Albares tha se Unioni duhet t’i përdorë të gjitha instrumentet në dispozicion për ta ushtruar presionin maksimal diplomatik ndaj Izraelit, raportoi gazeta spanjolle El Pais.
“BE-ja duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për ta ndaluar menjëherë këtë luftë dhe për ta siguruar shpërndarjen pa pengesa të ndihmës humanitare”, tha Albares.
"Koha për deklarata ka mbaruar. Kemi bërë apele për muaj të tërë. Është koha për veprim. Nuk mund ta tolerojmë atë që po ndodh as për një minutë tjetër", shtoi ai.
Ministri tha gjithashtu se i kishte dërguar një letër shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, duke kërkuar përsëri një shqyrtim formal të Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael, të cilën Spanja dhe Irlanda e kërkuan për herë të parë para më shumë se një viti.
Kësaj kërkese të fundit i është bashkuar tani Irlanda, Sllovenia dhe Luksemburgu.
Holanda ka kërkuar gjithashtu zyrtarisht një hetim mbi pajtueshmërinë e Izraelit me Nenin 2 të marrëveshjes, i cili thotë se marrëdhëniet midis palëve duhet të bazohen në respektimin e të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike.