Në zemër të Çarshisë së Shkupit, aty ku historia shpaloset në çdo hap, zhurmat e ditës përzihen me ngjyrat që burojnë nga dora e piktorit Imer Bajrami. Me penelin e tij të ngrohtë dhe përkushtimin e një artdashësi të vërtetë, Bajrami prej më shumë se katër dekadash dokumenton transformimin e kësaj hapësire historike, gjithmonë nën qiell të hapur.
“Në qiell të hapur çdoherë piktorët me famë botërore kanë punuar pikturat më të mira, më të suksesshme që njeh historia e artit”, thotë ai, duke shtuar se kjo përvojë është e pazëvendësueshme për një krijues.
Imer Bajrami nuk është thjesht një piktor i kalimtarëve, ai është pjesë e pandashme e identitetit të Çarshisë. Që nga vitet '80 e deri më sot, ai ka pikturuar çdo cep të saj, duke bërë krahasime vizuale mes së kaluarës dhe të tashmes. Xhamia e Murat Pashës, e vendosur në zemër të Çarshisë, është frymëzimi i tij më i madh. “Pjesa më mbresëlënëse që mua më prek është xhamia e Murat Pashës”, shprehet me emocion.
Turistët ndalen shpesh pranë tij, dhe pothuajse asnjë nuk largohet pa marrë me vete një copëz arti, një pikturë të kalasë apo të ndonjë motivi tjetër oriental që mbart frymën e qytetit.
“Çarshinë e Shkupit nuk e ka askush në Ballkan. Kjo të motivon njëjtë si të jesh në Montmart”, thotë Bajrami, duke e krahasuar këtë hapësirë me lagjen artistike të Parisit, si për nga frymëzimi, ashtu edhe për nga historia që mbart.
Për të, Çarshia nuk është vetëm vend i punës, por pjesë e jetës dhe trashëgimisë kulturore që duhet ruajtur dhe ndarë me botën. “Motivimi që të vij deri këtu është ruajtja e formave arkitektonike të Çarshisë”, thekson ai.
Puna e Imer Bajramit është më shumë se art, është një mision për të dokumentuar, ruajtur dhe përjetësuar bukurinë e një pasurie që nuk gjendet askund tjetër në Ballkan. Ai është piktori i Çarshisë, një dëshmitar i gjallë i kohës, i cili çdo ditë kthen kalldrëmin në një galeri të hapur për të gjithë.