Ka dështuar në mungesë të votave të mjaftueshme konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Për të 11-tën herë me radhë, u vu në pah mungesa e votave për emërimin kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Ashtu sikurse të shtunën, seanca nisi me votimin për krijimin e një komisioni “ad-hoc” për votim të fshehtë të kryeparlamentarit. Por, shumica e partive e kundërshtuan këtë komision duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision.
Nga 111 deputetë të pranishëm në sallë, 56 deputetë votuan pro këtij komisioni, 1 deputet ishte kundër dhe abstenim nuk pati.
"Seanca ndërpritet, shihemi përsëri më 7 maj në orën 10:00", tha kryesuesi i seancës, Avni Dehari.
Para fillimit të kësaj seance, deputetët mbajtën një minutë heshtje me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve.
Kryetari i partisë së dytë më të madhe në vend, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha se kryeministri në detyrë Albin Kurti po vazhdon që në mungesë të votave për ta formuar Qeverinë e re, të luaj me emrin e Albulena Haxhiut, duke mos e ndryshuar kandidimin e saj.
Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.