Ministri i Brendshëm Ivica Daçiç tha sot se, me urdhër të Presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në përgjigje të zjarreve të paprecedentë pyjorë në afërsi të Jeruzalemit (Kudsit), Ministria e Brendshme i ka ofruar Shtetit të Izraelit ndihmë në shuarjen e këtyre zjarreve në shkallë të gjerë.
Tre helikopterë me kapacitet të madh, dy helikopterë Kamov Ka-32 me kapacitet deri në pesë ton ujë dhe një helikopter Super Puma H-215 me kapacitet prej katër ton ujë, janë gati të vendosen për të vepruar në zonën e kërcënuar nga rreziku në rast se situata nuk stabilizohet, tha Ministria e Brendshme në një komunikatë.
Shtohet se Njësia e Helikopterëve dhe Sektori i Situatave të Emergjencës po kryejnë aktivitete përgatitore në mënyrë që kjo ndihmë të mund të dërgohet në momentin që "kolegët në Izrael vlerësojnë se është e nevojshme".
“Ministria e Brendshme është në komunikim të vazhdueshëm me palën izraelite, e cila ka shprehur mirënjohje ndaj Serbisë për ndihmën e ofruar”, tha Daçiq.
Ministri i Jashtëm Marko Gjuriq tha se Serbia po monitoron nga afër zhvillimin e situatës, ndërsa zjarret shkatërruese vazhdojnë të shpërthejnë pranë Jeruzalemit.
Ai theksoi se “në këtë kohë sfiduese, Serbia riafirmon gatishmërinë e saj për të ofruar mbështetje, qoftë humanitare, teknike apo ndryshe, dhe për të ndihmuar miqtë e saj në Izrael ndërsa përballen me këtë krizë”.
Sipas informacioneve të fundit të raportuara nga mediat izraelite, zjarret në periferi të Jerusalemit ende nuk janë shuar dhe ka gjithsej 11 vatra aktive, dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shpalli dje gjendje të jashtëzakonshme për shkak të zjarreve, duke paralajmëruar se zjarri mund të përfshijë vetë qytetin.
Të paktën 20 persona u plagosën në zjarre, dhe Kroacia gjithashtu dërgoi ndihmë dje me kërkesë të Izraelit.