Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha të mërkurën se partneriteti ekonomik i sapoformuar me Ukrainën për të zhvilluar burimet e saj natyrore "mund" të shërbejë si një garanci sigurie për Kievin në mbrojtje kundër agresionit rus.
Trump tha se i tha Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë një takimi në prag të funeralit të Papa Françeskut, se do të ishte "një gjë shumë e mirë" për të që të nënshkruante marrëveshjen sepse "Rusia është shumë më e madhe dhe më e fortë".
“Rusia thjesht po ecën përpara. Është një vend i madh dhe i fortë, megjithëse, meqë ra fjala, as afër aq i fortë sa Shtetet e Bashkuara”, tha Trump gjatë një paraqitjeje në “NewsNation Town Hall”.
Kur u pyet nga prezantuesi nëse marrëveshja mund ta “kufizonte” Presidentin rus Vlladimir Putin, Trump tha “ndoshta”, por shtoi se motivi i tij kryesor ishte të rifitonte disa nga kostot e ndihmës së mëparshme ushtarake për Ukrainën.
Marrëveshja midis ShBA-së dhe Ukrainës mbi mineralet kritike u njoftua vetëm disa orë më parë, pas muajsh negociatash shpesh të vështira.
Marrëveshja do të krijojë një Fond për Rindërtim dhe Investime ShBA-Ukrainë. Departamenti i Thesarit i ShBA-së tha se partneriteti ekonomik do të lejonte punë të përbashkët për të përshpejtuar rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës, duke theksuar "mbështetjen e konsiderueshme financiare dhe materiale" që Uashingtoni i ka ofruar Kievit që nga fillimi i luftës me Rusinë në vitin 2022.
Ministrja ukrainase e Ekonomisë, Yulia Sviridenko, tha se fondi do të përdoret për të investuar në projekte të shfrytëzimit të lëndëve djegëse fosile, naftës dhe gazit, si dhe në projekte të infrastrukturës dhe riciklimit, të cilat do të miratohen bashkarisht nga të dy vendet.