LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Norvegjia para GjND-së: Izraeli duhet të ofrojë menjëherë ndihmë humanitare në Gaza
Izraeli, si çdo anëtar tjetër i OKB-së, duhet t’i respektojë detyrimet e tij ligjore, tha përfaqësuesi norvegjez Andreas Motzfeldt Kravik, duke iu drejtuar gjykatës.
Norvegjia para GjND-së: Izraeli duhet të ofrojë menjëherë ndihmë humanitare në Gaza
Norvegjia para GjND-së: Izraeli duhet të ofrojë menjëherë ndihmë humanitare në Gaza / AA
1 Maj 2025

Izraeli duhet t’i përmbushë detyrimet e tij ndërkombëtare dhe menjëherë të lejojë qasje të papenguar në ndihmën humanitare për Gazën, ku situata humanitare është shndërruar në një "makth të gjallë", tha Norvegjia para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) në Hagë.

"Izraeli, si çdo anëtar tjetër i OKB-së, duhet t’i respektojë detyrimet e tij ligjore", tha përfaqësuesi norvegjez Andreas Motzfeldt Kravik, duke iu drejtuar gjykatës.

"Izraeli është i detyruar, në bashkëpunim të plotë me Kombet e Bashkuara dhe vendet e treta, ta lejojë ofrimin e shërbimeve thelbësore dhe ndihmës humanitare pa vonesë, në mënyrë të plotë dhe pa asnjë pengesë."

Kravik theksoi se bllokada e ndihmës humanitare dhe dërgesave komerciale ka qenë në fuqi për më shumë se 60 ditë, pavarësisht thirrjeve të shumta ndërkombëtare për t’i hequr kufizimet.

"Kjo është moralisht e papranueshme dhe ligjërisht e paligjshme", tha ai, duke bërë thirrje për një heqje të menjëhershme dhe të plotë të bllokadës dhe hapjen e përhershme të kalimeve tokësore.

Kristian Jervell, gjithashtu në emër të Norvegjisë, theksoi se Izraeli duhet t’i ndërpresë të gjitha veprimet që pengojnë Autoritetin Palestinez dhe Shtetin e Palestinës të zhvillojnë marrëdhënie të politikës së jashtme me aktorët ndërkombëtarë, përfshirë OKB-në, organizatat ndërkombëtare dhe vendet e treta.

Norvegjia shprehu shpresën se mendimi këshillimor i gjykatës do ta forconte rolin e OKB-së në territoret e pushtuara palestineze dhe do t’i ndihmonte përpjekjet ndërkombëtare për ta realizuar të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje, bazuar në një zgjidhje me dy shtete.

"Po takohemi në një kohë kur situata humanitare në territoret e pushtuara palestineze është përkeqësuar më tej dhe është bërë një makth i vërtetë", tha Kravik.

Izraeli ka mbyllur të gjitha pikat kufitare drejt Gazas që nga 2 marsi, duke penguar dërgimin e mallrave themelore, pavarësisht raportimeve të shumta për mungesë ushqimi në rajonin e shkatërruar nga lufta.

Ushtria izraelite rifilloi ofensivën e saj në Gaza më 18 mars, duke shkelur një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve me lëvizjen palestineze Hamas, të arritur më 19 janar.

Që nga tetori i vitit 2023, të paktën 52.400 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us