Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, tha të hënën se Rusia vazhdon ta refuzojë propozimin për një armëpushim të plotë dhe të përhershëm që duhej të fillonte sot, duke argumentuar se Moska në fakt dëshiron ta zgjasë luftën në vend që të kërkojë paqe.
Duke folur nëpërmjet një lidhjeje video në një takim të nivelit të lartë të organizuar nga Sekretari i Jashtëm Britanik David Lammy, Sybiha tha se kishte informuar kolegët nga Gjermania, Italia, Spanja, Polonia, Franca dhe diplomaten më të lartë të BE-së, Kaja Kallas, mbi zhvillimet e fundit në front, bazuar në një raport nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës.
“Rusët po e injorojnë plotësisht ofertën për një armëpushim të plotë dhe të përhershëm që supozohet të fillojë më 12 maj. Ata po vazhdojnë sulmet ndaj pozicioneve ukrainase përgjatë gjithë vijës së frontit”, shkroi ai në platformën X.
“Moska humbet një tjetër mundësi për të ndaluar vrasjet”, shtoi kryediplomati ukrainas.
Në takim u diskutua për iniciativat e paqes dhe koordinimin me ShBA-në. Sybiha theksoi se përpjekjet e përbashkëta gjatë kësaj jave do të jenë thelbësore për avancimin e masave të llogaridhënies dhe angazhimit diplomatik.
“Ukraina po bën çdo përpjekje për ta ndalur luftën dhe për t’i dhënë një shans diplomacisë”, theksoi ai.
Ai shtoi se Presidenti Volodymyr Zelensky i ofroi një takim Presidentit rus Vlladimir Putin të enjten, por ende nuk ka marrë një përgjigje.