Kryeministri hungarez Viktor Orban reagoi ashpër të hënën ndaj kritikave të homologut të tij irlandez Michael Martin, i cili e quajti përdorimin e shumëfishtë të vetos nga Hungaria "skandaloz" dhe i bëri thirrje Brukselit të reagojë.
Në një postim në platformën X, Orban e dënoi Martinin për, siç tha ai, mbështetjen e "perandorisë në vend të sovranitetit kombëtar".
"Ne hungarezët gjithmonë i kemi konsideruar patriotët irlandezë si simbole të lirisë dhe pavarësisë kombëtare. Për ne, Irlanda është një simbol i lirisë dhe sovranitetit. Pikërisht për këtë arsye është zhgënjyese kur shohim që një patriot irlandez vendos të marrë anën e perandorisë", shkroi Orban.
Deklaratat e Orbanit pasuan intervistën e Martinit me Euronews, në të cilën ai e akuzoi Hungarinë për "përdorim të paarsyeshëm" të mekanizmit të vetos për t’i bllokuar vendimet kyçe në BE, përfshirë procesin e pranimit të Ukrainës.
"Ne gjithmonë e kemi pranuar unanimitetin për çështje të caktuara, por besojmë se tani po abuzohet me të. Bashkimi Evropian nuk do të jetë në gjendje të funksionojë nëse ky abuzim vazhdon", tha Martin, duke paralajmëruar se shtetet anëtare po humbasin durimin.
Ai përsëriti gjithashtu mbështetjen e fortë të Irlandës për anëtarësimin e Ukrainës në BE, duke e quajtur atë "gjeopolitikisht të rëndësishëm".
“Irlanda është një avokate e fortë për pranimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian”, tha ai, duke shprehur zhgënjim që Hungaria po ngadalëson procesin e zgjerimit.
Orban ka kundërshtuar vazhdimisht anëtarësimin e Ukrainës në BE në kushtet aktuale, duke argumentuar se kjo do të vendoste një barrë financiare mbi Unionin. Ai gjithashtu theksoi se Hungaria nuk do të ofrojë mbështetje derisa të zgjidhen çështjet për të cilat shqetësohet.