Ushtria izraelite planifikon të krijojë një korridor të sigurt në Rripin e Gazës dhe të ndalojë përkohësisht zjarrin për të mundësuar lirimin e ushtarit izraelit Edan Alexander, raportuan të hënën mediat izraelite.
Transmetuesi publik KAN bëri të ditur se ushtria do të ndalë sulmet në Gaza dhe do të krijojë një korridor të sigurt duke filluar nga ora 12:00 sipas kohës lokale, për lirimin e ushtarit.
Edhe Kanal 12 izraelit raportoi se forcat izraelite në Gaza janë informuar për këtë ndalim të përkohshëm të zjarrit për shkak të lirimit të Alexanderit, që pritet të ndodhë në orën 12:00.
Krahu i armatosur i grupit palestinez Hamas gjithashtu deklaroi të hënën se ka vendosur të lirojë Alexanderin.
“Brigadat Al-Qassam kanë vendosur të lirojnë ushtarin cionist Edan Alexander, i cili ka shtetësi amerikane, sot, më 12 maj 2025,” deklaroi zëdhënësi Abu Obaida në një deklaratë të shkurtër.
Grupi palestinez Hamas njoftoi të dielën se do të lirojë pengun amerikano-izraelit Edan Alexander si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për arritjen e një armëpushimi në Gaza.
Hamas bëri të ditur se, në kuadër të përpjekjeve ndërmjetësuese për një armëpushim, kohët e fundit ka zhvilluar bisedime me administratën amerikane dhe ka treguar “një nivel të lartë pozitiviteti”.
Alexander, një ushtar që shërbente në njësi elitare këmbësorie në kufi me Gazën, konsiderohet si pengu i fundit amerikan i gjallë në Gaza.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e cilësoi lirimin e pengut amerikano-izraelit nga Rripi i Gazës si një “gjest vullneti të mirë” ndaj SHBA-së dhe ndërmjetësve rajonalë, duke theksuar se kjo mund të jetë një nga “hapat e fundit” të nevojshëm për përfundimin e luftës në Gaza.