Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, tha të dielën se lirimi i ardhshëm i një pengu izraelito-amerikan nga Gaza është një "gjest vullneti të mirë" ndaj ShBA-së dhe ndërmjetësve rajonal, dhe tregoi se ky mund të jetë i pari nga "hapat e fundit" të nevojshëm për t'i dhënë fund luftës në Gaza.
“Jam i lumtur të njoftoj se Edan Alexander, një qytetar amerikan i mbajtur peng që nga tetori i vitit 2023, po kthehet në shtëpi tek familja e tij. Jam mirënjohës për të gjithë ata që kontribuan në këtë ngjarje monumentale”, tha Trump në një postim në rrjetet sociale, duke përdorur një drejtshkrim alternativ të emrit Idan Alexander.
"Ky ishte një hap i vullnetit të mirë ndaj ShBA-së dhe përpjekjeve të ndërmjetësve, Katarit dhe Egjiptit, për t'i dhënë fund kësaj lufte shumë brutale dhe për t'u kthyer të gjithë pengjeve të gjallë dhe mbetjeve mortore të dashurve të tyre. Shpresoj që ky të jetë hapi i parë i fundit i nevojshëm për t'i dhënë fund këtij konflikti brutal. Pres me padurim atë ditë feste", shtoi ai.
Hamasi njoftoi më herët të dielën se do ta lironte Aleksandrin si pjesë të përpjekjeve të vazhdueshme për të arritur një armëpushim në Gaza.
Alexander, një ushtar që shërbeu në një njësi elitare këmbësorie në kufirin me Gazën, konsiderohet pengu i fundit amerikan që ka mbijetuar në Gaza.
Lirimi i tij, siç u njoftua nga Hamasi, është pjesë e një sërë hapash që synojnë arritjen e një armëpushimi, rihapjen e pikave kufitare dhe mundësimin e ofrimit të ndihmës humanitare për popullsinë në Gaza.
Hamasi ka shprehur gjithashtu gatishmëri për negociata të menjëhershme dhe intensive me qëllim arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mbi një armëpushim, një shkëmbim të ndërsjellë të të burgosurve dhe formimin e një organi të pavarur profesional për të qeverisur Gazën.
Grupi deklaron se një kuadër i tillë do të ndihmonte në sigurimin e paqes dhe stabilitetit afatgjatë, së bashku me rivendosjen dhe heqjen e bllokadës izraelite.
Hamasi vlerësoi përpjekjet e ndërmjetësimit të Katarit, Egjiptit, si dhe Türkiyes.
Izraeli vlerëson se ka ende 59 pengje në Gaza, 21 prej të cilëve besohet se janë gjallë. Ndërkohë, më shumë se 9.900 palestinezë janë të burgosur në Izrael, ku organizatat e të drejtave të njeriut raportojnë tortura të përhapura, uri dhe neglizhencë mjekësore, duke çuar në vdekje të shumta.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se ShBA-të e kishin informuar Izraelin për qëllimin e Hamasit për të liruar Aleksandrin si një gjest vullneti të mirë ndaj Uashingtonit, "pa asnjë kusht apo shkëmbim".
Në deklaratë thuhej se ky veprim pritet të çojë në negociata për lirimin e pengjeve shtesë bazuar në një propozim origjinal nga i dërguari special i Presidentit të ShBA-së Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, të cilin Izraeli e kishte miratuar më parë.
Më shumë se 52.800 palestinezë janë vrarë në Gaza në një ofensivë brutale izraelite që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi fletëarreste nëntorin e kaluar për Netanyahun dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkak të luftës së tij në Rripin e Gazës.