Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Gërliq Radman, gjatë vizitës së tij në Mostar të Bosnjë dhe Hercegovinës, theksoi se vendi i tij është përkrahësi më i fortë i integrimit evropian të BeH-së.
"Mostari është i dashur dhe afër zemrës sime pikërisht për faktin se Mostari është simbol i multikulturalizmit, se Mostari është një miniaturë multietnike dhe Mostari mund të jetë një shembull, një paradigmë se si identitete, komunitete, kombe të ndryshme, dhe kroatët, boshnjakët dhe serbët dhe të tjerët mund të jetojnë së bashku dhe si mund t'i nënshtrojnë interesat e tyre kundrejt interesave të përbashkëta, në interes të zhvillimit të qytetit të Mostarit, prosperitetit..." tha Gërliq Radman.
Ai theksoi se të gjithë kanë të drejtë të jetojnë dhe t’i theksojnë vlerat e tyre, por në masën që ato të mos cenojnë vlerat e të tjerëve.
“Si njeri i lindur në Bosnjë dhe Hercegovinë, gjithmonë i kam respektuar dhe i respektoj të gjithë popujt, por pres gjithashtu që populli im të respektohet”, tha ai në panelin diplomatik: “Trashëgimia e përbashkët si mjet i diplomacisë” në Mostar.
Duke deklaruar se "nuk hezitoi të vinte" sepse beson se "është e rëndësishme që një përfaqësues i Kroacisë të jetë atje", ai tha se ata "duan ta shohin BeH-në si institucionalisht funksionale dhe të qëndrueshme".
“Dhe që të gjithë udhëheqësit politikë të kenë këtë përgjegjësi, përgjegjësinë për ta udhëhequr BeH-në në rrugën e duhur, përmes respektimit të sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe lirive themelore”, tha Gërliq Radman.
Kroacia tani, siç tha ai, duke pasur parasysh se ka arritur të gjitha qëllimet e saj të politikës së jashtme, nuk ka nevojë për asgjë.
"Ne kemi nevojë për një fqinjësi paqësore dhe të qëndrueshme dhe Kroacia është avokatja më e fortë e rrugës evropiane të BeH-së", theksoi Ministri i Jashtëm kroat në një panel në Konferencën Ndërkombëtare "MOSTAR 2025: Dialogu për të Ardhmen" të organizuar me rastin e 20-vjetorit të regjistrimit të zonës së Urës së Vjetër të Qytetit të Vjetër të Mostarit në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.