Në Shqipëri po vazhdon procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare, ku qytetarët me të drejtë vote do tа zgjedhin përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë me 140 mandate.
Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pjesëmarrja deri në orën 14:00 është 30,44 për qind.
Kjo shifër e pjesëmarrjes i referohet të dhënave nga 3.834 qendra votimi, nga 5.225 në total.
Procesi i votimit filloi në orën 07:00 dhe do të përfundojë zyrtarisht në orën 19:00.
Të drejtën e votës e kanë 3.713.761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, ndër ta 114.642 zgjedhës votojnë për herë të parë.
Risia kryesore e zgjedhjeve është votimi nga jashtë Shqipërisë, pasi për herë të parë votojnë edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Procesi i votimit për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit filloi më 15 prill 2025 në rrugë postare.
Zgjedhjet vëzhgohen nga një mision i Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Delegacione vëzhguese gjithashtu do të ketë edhe nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe një delegacion nga Parlamenti Evropian, si dhe nga organizata të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.