TÜRKİYE
4 minuta leximi
Universiteti Anadollu ia prezanton turqishten botës: Programi që ua hap dyert studentëve të huaj
Programi i Gjuhës dhe i Kulturës Turke, i zbatuar përmes Sistemit të Arsimit të Hapur, ofron një përvojë mësimore të qasshme dhe të bazuar në akademi për studentët e interesuar për turqishten në shkallë globale.
Universiteti Anadollu ia prezanton turqishten botës: Programi që ua hap dyert studentëve të huaj
Universiteti Anadollu ia prezanton turqishten botës: Programi që ua hap dyert studentëve të huaj / AA
21 Maj 2025

Universiteti Anadolu po ndërmerr një hap të rëndësishëm drejt prezantimit të turqishtes në botë.

Programi dyvjeçar i Gjuhës dhe Kulturës Turke, i zhvilluar brenda Sistemit të Arsimit të Hapur, ofron një mjedis mësimor fleksibël, të arritshëm dhe të kualifikuar për studentët me shtetësi ndërkombëtare ose të dyfishtë.

I mbështetur nga teknologjitë digjitale, ky program synon t'u ofrojë studentëve nga e gjithë bota një bazë të fortë në gjuhën dhe letërsinë turke duke eliminuar kufijtë gjeografikë.  Materialet mësimore, të përgatitura nga akademikë kompetentë në fushat përkatëse, mbështeten nga përmbajtje të pasura audiovizuale dhe burime interaktive mësimore.

Programi, i cili do të mirëpresë studentët e tij të parë në vitin e ri akademik, dallohet si një model pioner që e çon procesin e të mësuarit të turqishtes në nivel universitar. Studentët që regjistrohen në program do të marrin një arsimim të gjuhës turke në nivel akademik dhe gjithashtu do të fitojnë një perspektivë të thellë mbi kulturën turke.

Një nga veçoritë më të spikatura të programit është se studentët që e përfundojnë me sukses fazën përgatitore, mund të transferohen drejtpërdrejt në rreth 50 programe në gjuhën turke të ofruara nga Universiteti i Anadollit. Në këtë mënyrë, Programi i Gjuhës dhe Kulturës Turke nuk është vetëm një kurs gjuhe, por një mundësi që u lejon studentëve të dokumentojnë njohuritë e tyre të turqishtes në nivel akademik dhe ta pasurojnë rrugëtimin e tyre arsimor.

Falë mundësive që ofron kampusi elektronik i Universitetit të Anadollit për studentët ndërkombëtarë, studentët mund të përfitojnë nga një gamë e gjerë burimesh dhe ta shijojnë të mësuarit. Platforma e të nxënit digjital “Anadolum eKampüs” ofron një përvojë gjithëpërfshirëse mësimore pa kufizime kohe apo vendi.

Kjo platformë përbëhet nga Sistemi i Menaxhimit të Mësimit (ÖYS), leksione të drejtpërdrejta (e-seminare), aplikacioni mobil dhe analiza të të nxënit. Përmes eKampüs-it, studentët mund të kenë qasje në përmbajtjet e lëndëve, përmbledhjet e njësive, ushtrimet dhe pyetjet nga provimet e kaluara; gjithashtu mund të komunikojnë me pedagogët përmes leksioneve të drejtpërdrejta. Me mbështetjen e aplikacionit mobil, është e mundur të kesh akses në përmbajtje nga çdo vend.

Rektori prof. dr. Adıgüzel: “Motoja jonë: T’ua mësojmë turqishten gjithë botës”

Rektori i Universitetit të Anadollit, prof. dr. Yusuf Adıgüzel, deklaroi se synimi i tyre është të mësojnë turqishten në mbarë botën përmes Sistemit të Arsimit të Hapur. Ai tha:

“Programi i Gjuhës dhe i Kulturës Turke do t’i pranojë studentët për herë të parë këtë vit. Personat me shtetësi të huaj apo me të drejtë shtetësie të dyfishtë që dëshirojnë të ndjekin arsim universitar në vende të ndryshme të botës, do të mund të regjistrohen në këtë program përmes Sistemit të Arsimit të Hapur. Kemi një mision për t’u ofruar edukim në turqisht në nivel akademik individëve ndërkombëtarë që e njohin disi gjuhën nga serialet apo filmat, si dhe për ta përhapur gjuhën dhe kulturën turke në mbarë botën.

Në këtë mënyrë, po nisemi drejt një fushate globale për turqishten, në shtatë kontinentet e botës, në më shumë se njëqind vende dhe me mbi gjashtëdhjetë qendra provimesh. Sistemi i Arsimit të Hapur, i krijuar në vitin 1982 brenda Universitetit të Anadollit, ka diplomuar deri tani 4 milionë e 200 mijë persona dhe renditet ndër tre sistemet më të mëdha në botë. Këtë përvojë gati gjysmë shekullore duam tani ta ndajmë me gjithë botën përmes Programit të Gjuhës dhe Kulturës Turke.

Studentët ndërkombëtarë do të kenë mundësi të regjistrohen në pesë programe të ndryshme, përfshirë këtë. Po ashtu, me bashkëpunime ndërkombëtare, jemi duke organizuar fushata për ta zgjeruar këtë program. Motoja jonë është: ‘T’ua mësojmë turqishten gjithë botës.’”

Procesi i regjistrimit për Programin e Gjuhës dhe Kulturës Turke do të nisë në qershor 2025. Për më shumë informacion, mund të vizitoni: http://ana.do/5xe

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us