RAJONI
2 minuta leximi
Dështon përpjekja e 19-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës
Nga deputetët e pranishëm në sallë vetëm 54 vota ishin pro formimit të komisionit për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, një kundër dhe nuk pati abstenime.
Dështon përpjekja e 19-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës
Dështon përpjekja e 19-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës / AA
21 Maj 2025

Është shënuar edhe një dështim i radhës, i 19-ti me radhë, në përpjekjet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Shumica e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës nuk i dhanë mbështetje krijimit të një komisioni "ad-hoc" për votim të fshehtë të pozitës së kryeparlamentarit, duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision, të propozuar nga partia më e madhe Lëvizja Vetëvendosje.

Nga deputetët e pranishëm në sallë vetëm 54 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, një kundër dhe nuk pati abstenime.

"Ndërpritet seanca, takohemi më 23 maj në orën 11:00", tha kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Partia e dytë më e madhe, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka përsëritur se LVV-ja duhet ta ndërrojë kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës në mënyrë që ta mbështesin votimin e kryeparlamentarit. Por, për ndryshimin e kandidatit, kreu i LVV-së Albin Kurti tha se "nuk lejoj të shkelet gruaja më e votuar e partisë".

Në një intervistë për televizionin publik gjatë 20 majit, Kurti tha se plani i partisë që drejton ai, është që tani ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu të kalojë në pushtetin legjislativ, ndërsa ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca të shkojë në pushtetin ekzekutiv si ministër i kabinetit të qeverisë Kurti 3.

Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.

Më 15 maj, liderët e katër partive politike shqiptare parlamentare filluan takimet konsultative me presidenten Vjosa Osmani me qëllim të zhbllokimit dhe formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us