Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Teresa Ribera, e përshkroi situatën në Gaza si një "tragjedi me përmasa gjigante" dhe tha se i ngjan shumë gjenocidit, transmeton Anadolu.
"Ajo që po dëshmojmë ka pak precedentë. Nëse nuk është gjenocid, sigurisht që duket shumë si një i tillë", tha ajo në një intervistë me transmetuesin spanjoll Cadena SER.
Ribera, e cila është gjithashtu përgjegjëse për çështjet e konsumatorit dhe mjedisin në BE, kritikoi reagimin e ngadaltë të bllokut ndaj krizës në Gaza.
"Si mund t'i mbrojmë të drejtat e njeriut të disa njerëzve, por jo të të tjerëve? Si mund të shmangim një përdorim kaq joproporcional të forcës kundër një populli që ka një autoritet legjitim – Autoritetit Kombëtar Palestinez – i cili ka punuar për ta shmangur terrorizmin në territorin e tij", tha ajo.
Një ditë pasi BE-ja njoftoi se do të rishikojë marrëveshjen e saj tregtare me Izraelin, ajo tha se përgjigjja e bllokut mbetet një "pikëpyetje e madhe" pasi është e vështirë të arrihet "unanimitet".
Ribera më parë ishte zëvendëskryeministre në qeverinë spanjolle, e cila i ka kërkuar BE-së të rishikojë marrëveshjen e saj të asociimit me Izraelin që nga shkurti i vitit të kaluar.
Më parë këtë muaj, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez e quajti Izraelin "shtet gjenocidal".
Të martën, Spanja miratoi gjithashtu një mocion jodetyrues duke kërkuar embargo totale armësh ndaj Izraelit, edhe pse qeveria ka thënë se e ka pezulluar tregtinë e armëve me vendin pas fillimit të ofensivës së saj në Gaza.
Izraeli braktisi një armëpushim të janarit me Hamasin në mars dhe e ka intensifikuar ofensivën e tij në Gaza në ditët e fundit, duke zgjeruar operacionet tokësore dhe duke kryer sulme ajrore masive.
Sulmet izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023 kanë vrarë më shumë se 53.000 palestinezë dhe rrethimi i saj i vazhdueshëm po shkatërron enklavën, me OKB-në që paralajmëron se 14.000 foshnja mund të vdesin në Gaza brenda 48 orëve të ardhshme për shkak të bllokadës.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.