Eksportet shqiptare të mallrave shënuan një rritje prej 2,3% gjatë periudhës janar–prill 2025, duke reflektuar një zhvillim pozitiv për ekonominë e vendit.
Sipas të dhënave të publikuara sot nga INSTAT-i, eksportet arritën vlerën e rreth 1,35 miliard eurove (133 miliardë lekë), duke shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në këtë rritje vjetore të eksporteve janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me një rritje prej 8,9%; “Ushqime, pije, duhan” me 0,6%; dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 0,5%.
Ndërkohë, ndikim negativ kanë pasur grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -6,1%; “Produkte kimike dhe plastike” me -0,8%; si dhe “Tekstile dhe këpucë” me -0,8%.
Ndryshe nga eksportet, importet e mallrave shënuan një rënie prej 3,5% në krahasim me katërmujorin e parë të vitit 2024, duke arritur vlerën e rreth 2,05 miliardë eurove (202 miliardë lekë).
Si rezultat i përmirësimit në bilancin tregtar, deficiti tregtar u reduktua me 6,5%, duke zbritur në rreth 1,46 miliardë euro (144 miliardë lekë), krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në këtë katërmujor, vendet me të cilat Shqipëria ka shënuar rritjen më të madhe të eksporteve janë: Kosova me 8,1%, Greqia me 9,3% dhe Gjermania me 6,6%.