Përfaqësuesi i përhershëm i Türkiyes në OKB, Ahmet Yıldız, të mërkurën kërkoi një angazhim më të fuqishëm ndërkombëtar për rindërtimin e Sirisë dhe mirëpriti hapat e fundit të ShBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së për lehtësimin e sanksioneve ekonomike.
Duke folur në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Sirinë, Yıldız tha se vendi ka nisur një “udhëtim të ri” drejt rimëkëmbjes pas ndryshimit të lidershipit në dhjetor, duke theksuar kthimin e mbi 500 mijë refugjatëve sirianë dhe 1,2 milion personave të zhvendosur brenda vendit që nga ajo kohë.
“Lehtësimi i sanksioneve dhe ulja e presionit ekonomik ndaj Sirisë dhe popullit të saj do të përshpejtojë ndjeshëm përpjekjet për rindërtim, të cilat janë kyçe për stabilizimin, rimëkëmbjen, kthimin e refugjatëve dhe, në fund, pajtimin kombëtar”, tha ai.
Yıldız theksoi se Türkiye i ka mbështetur në mënyrë aktive përpjekjet diplomatike për të hequr pengesat ndaj rimëkëmbjes së Sirisë dhe vuri në dukje takimet në nivel të lartë mes liderëve rajonalë dhe ndërkombëtarë.
Ai gjithashtu mirëpriti krijimin e dy komisioneve kombëtare në Siri për drejtësinë kalimtare dhe për personat e zhdukur, duke i përshkruar si “momente të rëndësishme në adresimin e trashëgimisë së konfliktit dhe në nxitjen e shërimit kombëtar.”
Duke riafirmuar përkushtimin e Türkiyes për të mbështetur unitetin dhe sovranitetin e Sirisë, Yıldız kërkoi zbatimin e marrëveshjeve që sigurojnë qeverisje të centralizuar dhe paralajmëroi ndaj ndikimit të grupeve terroriste dhe “agjendave politike të jashtme.”
“Një Siri e qëndrueshme dhe e bashkuar, në paqe me veten dhe me fqinjët, që nuk ofron strehë për organizatat terroriste, do të kontribuojë në sigurinë dhe begatinë rajonale”, tha ai.