Presidenti rus Vlladimir Putin deklaroi të hënën se ka diskutuar një armëpushim të mundshëm në Ukrainë dhe perspektivat për zgjidhjen e konfliktit gjatë një bisede telefonike me Presidentin amerikan Donald Trump, e cila zgjati rreth dy orë.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Soçi, Putin e përshkroi bisedën me Trump si “të sinqertë dhe përmbajtjesore”, duke thënë se Trump ka pranuar angazhimin e Rusisë për një zgjidhje paqësore të krizës në Ukrainë.
Putin shprehu mirënjohjen e tij ndaj Trumpit për mbështetjen e rifillimit të negociatave të drejtpërdrejta në Istanbul mes Moskës dhe Kievit, duke theksuar se presidenti amerikan parashtroi pozicionin e tij mbi armëpushimin mes dy palëve.
“Presidenti amerikan shprehu qëndrimin e tij mbi armëpushimin dhe, nga ana e tij, gjithashtu vuri në dukje se Rusia mbështet një zgjidhje paqësore të krizës ukrainase, na duhet vetëm të përcaktojmë mënyrat më efektive për të ecur drejt paqes”, tha ai.
Sipas Putinit, një armëpushim me Ukrainën është i mundur sapo të arrihen marrëveshjet përkatëse dhe se Rusia dhe Ukraina duhet të gjejnë kompromise të pranueshme për të dyja palët.
“Ne u dakorduam me presidentin amerikan që Rusia do të propozojë dhe është e gatshme të punojë me palën ukrainase mbi një memorandum për një traktat paqeje të mundshëm në të ardhmen, duke përcaktuar një sërë pozicionesh si parimet e zgjidhjes, afatet kohore për një marrëveshje të mundshme paqeje, përfshirë edhe një armëpushim të mundshëm për një periudhë të caktuar nëse arrihen marrëveshjet e nevojshme”, tha ai.
“Kontaktet mes pjesëmarrësve në takimin dhe negociatat në Istanbul janë rifilluar, dhe kjo na jep arsye të besojmë se në përgjithësi po ecim në drejtimin e duhur.”
Putini shtoi se zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ose ndihmësi presidencial për çështjet e jashtme, Yury Ushakov, do të japin më shumë detaje mbi bisedën me Trumpin në vijim.