Policia e Shtetit në Shqipëri ka marrë masa të gjera për të garantuar rendin dhe sigurinë publike gjatë zgjedhjeve të 11 majit, si dhe për të parandaluar, zbuluar dhe ndëshkuar çdo krim zgjedhor.
Sipas një njoftimi të Policisë së Shtetit, plani i masave përfshin faza të ndryshme, duke filluar nga trajnimi i punonjësve të policisë për detyrat që do të kryejnë, bashkëpunimi me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), prokuroritë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe sigurimi i të gjitha aktiviteteve dhe objekteve zgjedhore me shërbime policore.
Sipas policisë, në bashkëpunim me OSBE-në, KQZ-në dhe Prokurorinë e Përgjithshme, janë trajnuar 6.838 punonjës policie me uniformë dhe 813 specialistë për hetimin e krimeve zgjedhore. Gjatë fushatës zgjedhore, policia angazhoi maksimalisht 6.500 punonjës për mbarëvajtjen e aktiviteteve.
Strukturat e posaçme hetimore të ngritura për hetimin e krimeve zgjedhore siç njoftojnë nga Policia e Shtetit kanë referuar 37 raste në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pas vlerësimit të çdo informacioni dhe kallëzimi.
Në ditën e fundit të fushatës, policia thekson se ka marrë masa për të garantuar rendin dhe sigurinë në aktivitetet përmbyllëse të subjekteve politike. Policia ka marrë në ruajtje objektet zgjedhore që shërbejnë si KZAZ dhe do të sigurojë objektet që do të shërbejnë si qendra votimi.
KQZ-së i është dërguar dhe miratuar lista me 5.316 punonjës policie dhe automjete që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve.
Policia do të tërheqë punonjësit nga qendrat e votimit pas dorëzimit të tyre dhe do të rikthehen për të shoqëruar materialet zgjedhore drejt KZAZ-ve. Gjatë ditës së votimit, policia do të jetë në dispozicion të komisioneve dhe do të veprojë në zbatim të Kodit Zgjedhor.
Më 11 maj, policia do të marrë në ruajtje edhe objektet e numërimit të votave. Janë marrë masa që çdo komisariat dhe drejtori të ketë grupe të gatshme për të ndërhyrë në terren në rast nevoje, të trajnuar dhe të pajisur me mjetet e identifikimit.
Policia e Shtetit është e vendosur të sigurojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo cënim të të drejtës së votës dhe subjekteve politike të bashkëpunojnë me policinë.