RAJONI
2 minuta leximi
Pa vota të mjaftueshme, vazhdon bllokimi në Kuvendin e Kosovës
Nga Zyra e Presidencës së Kosovës është paralajmëruar një takim të përbashkët politik së shpejti.
Pa vota të mjaftueshme, vazhdon bllokimi në Kuvendin e Kosovës
Pa vota të mjaftueshme, vazhdon bllokimi në Kuvendin e Kosovës / AA
9 Maj 2025

Kuvendi i Kosovës e ka shënuar edhe një seancë të pasuksesshme në zgjedhjen e Kryetarit të këtij institucioni, në mungesë të votave të mjaftueshme, apo 61 sosh, sa duhen për emërimin në këtë pozitë.

Për të 13-tën herë me radhë, konstituimi i Kuvendit të Kosovës dështoi, duke mos hapur rrugë që pas tij të formohet edhe qeveria e re.

Seanca nisi me votimin për krijimin e një Komisioni "ad-hoc" për votim të fshehtë të pozitës së kryeparlamentarit. Por, shumica e partive e kundërshtuan këtë komision duke mos propozuar anëtarin (deputetin) e tyre për këtë komision.

Vetëm 56 vota ishin pro, 1 kundër dhe nuk pati abstenime.

"Nuk kemi kuorum shihemi përsëri më 11 maj në orën 10:00", tha kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Kryetari i partisë së dytë më të madhe në vend, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha se sot u bënë tre muaj nga dita e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe ende nuk janë formuar institucionet e reja.

Nga Zyra e Presidencës së Kosovës është paralajmëruar një takim i përbashkët politik së shpejti dhe për këtë Krasniqi tha se janë të gatshëm të shkojnë në këtë takim, megjithëse kompetencat kushtetuese të presidentes në zgjidhjet politike janë të kufizuara.

Nga 61 vota sa nevojiten minimalisht, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us