Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE) nuk duhet ta trajtojë me politika ledhatuese presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Në një deklarim të ministres Gërvalla pas dështimit të seancës së radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ajo tha se "Në një situatë kur presidenti serb Vuçiq shkon për vizitë në Moskë te presidenti rus Vlladimir Putin, tregon për nevojën për të pasur sa më shpejt një qeveri të re kosovare".
"Fakti që presidenti serb Aleksandar Vuçiq sot ndodhet në Moskë krah për krah me diktatorin Putin demonstrojnë solidaritetin dhe miqësinë e tyre, është situatë për të cilën bëjmë thirrje që BE-ja të heqë dorë nga politika e ledhatimit e cila ka dështuar me Putinin dhe e cila është e destinuar të dështojë me Vuçiqin", theksoi Gërvalla.
Ajo tha se kërkojnë nga BE-ja që të përdorin gjuhë të qartë dhe të ashpër dhe ta dënojnë jo vetëm këtë vizitë, por edhe të gjitha aktet, sulmet, që Serbia i bën ndaj shteteve fqinje.
Deri më tani, në një përgjigje me shkrim për media, zëdhënësi i Komisionit Evropian ka thënë lidhur me vizitën e Vuçiqit në Moskë se "Nga Serbia pritet të dëshmojë përkushtim të besueshëm ndaj vlerave evropiane dhe të na bindë për orientimin e saj strategjik drejt Bashkimit Evropian".
Presidenti serb Vuçiq pas mbërritjes në Moskë më 7 maj tha se "nuk e kam gënjyer askënd" për vizitën e tij në Rusi, duke shtuar se "Serbia ka punë të rëndësishme dhe detyra të lidhura me ekonominë dhe energjinë" në Moskë.