Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se deputetët e opozitës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lista Serbe dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bënë "sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike".
Kurti në një reagim pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës tha se deputetët në vend që të procedonin deri në betimin e tyre, "ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve".
"Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë", shkroi Kurti.
Ai tutje tha se ekzekutivi i udhëhequr nga ai qeverisë mbarë dhe mirë, derisa opozita "la nam dhe bëjnë lajm të keq për shtetin tonë".
"Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot", shtoi Kurti.
Por, kryetari i partisë më të madhe opozitare, PDK, Memli Krasniqi tha se vetë Lëvizja Vetëvendosje e ka miratuar Ligjin për Qeverisje dhe në atë ligj është shkruar se kryeministri dhe ministrat dhe anëtarët e ekzekutivit nuk mund të betohen si deputetë.
"Logjika e tyre ta shkelin Kushtetutën me çdo kusht është logjikë që s'duhet të kalojë në Kuvendin e Kosovës. Nuk munden të vijnë dhe ta imponojnë vullnetin antikushtetues. Katër vjet e kanë shkelur Kushtetutën çdo javë dhe çdo muaj. Nuk do të lejojmë të fillojë kjo legjislaturë e re me shkelje të Kushtetutës", theksoi Krasniqi i cili tha se, sipas ligjit, duhet të jepet dorëheqja fillimisht me kohë dhe më pas të bëhet betimi si deputet.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se votoi kundër raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit jo për shkak se aty kishte ndonjë parregullsi, por sepse nuk u shpërnda dokumentacioni me kohë i aktit të dorëheqjes së kryeministrit Kurti dhe ministrave të kabinetit qeveritar.
"Për të siguruar siguri kushtetuese që nuk do të ketë shkelje të aktit më të lartë juridik të Kosovës ne kemi kërkuar dokumentacion shtesë dhe na është paraqitur në Komision një letër e dërguar sot nga kryeministri i Republikës së Kosovës. Letër, e cila do të duhej të shpërndahej te qytetarët dhe Komisioni Qendror Zgjedhor si dhe Presidentes, në ditën e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve", theksoi Zemaj.
Me 52 vota për, 46 kundër dhe 11 abstenime, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Nismës Socialdemokrate kanë votuar për raportin ndërsa kundër ishin ata të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kurse deputetët nga Lista Serbe abstenuan.
Për shkak të mosmiratimit të këtij raporti, seanca u ndërpre nga kryesuesi Avni Dehari dhe iu dërgua një letër presidentes për ta pyetur se si do të veprohet në vazhdim.
Kjo rrethanë u vlerësua si një rrethanë e re në aspektin kushtetues dhe ligjor të Kosovës.