Është rritur në 98 numri i të vdekurve si pasojë e shembjes së çatisë së një lokali argëtimi në Republikën Dominikane.
Çatia e ambientit të argëtimit "Jet Set" në Santo Domingo është shembur dje teksa brenda ndodheshin të paktën 300 klientë.
Sipas deklaratës së drejtorit të Qendrës së Operacioneve Emergjente (COE), Juan Manuel Mendez, 98 persona humbën jetën duke mbetur në rrënoja si pasojë e shembjes.
Ndërsa operacioni i kërkimit nën rrënoja vazhdon, rreth 160 persona të plagosur u dërguan në spitale. "Për sa kohë që ka shpresë për jetë, të gjitha autoritetet do të përpiqen t'i shpëtojnë këta njerëz", tha Mendez.
Bëhet e ditur se në mesin e të vdekurve ndodhet edhe Octavio Dotel, ish-lojtari i Ligës Amerikane të Bejsbollit (MLB).
U raportua se artisti Rubby Perez dhe orkestra e tij po performonin në skenë në momentin e shembjes dhe se autoritetet janë përpjekur të arrijnë tek Perez.
Pamjet e marra nga ajri treguan krijimin e një vrime të gjerë në mes të ndërtesës. Ndërkohë njoftohet se po hetohet shkaku i shembjes.
Presidenti i Republikës Dominikane, Luis Abinader, ka shpallur tre ditë zie pas tragjedisë.