RAJONI
2 minuta leximi
Gërvalla: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës të mbyllet gjatë Presidencës së Luksemburgut
Gërvalla ka thënë se zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut është jo vetëm i nevojshëm, por edhe strategjik, nga zhvillimi ekonomik e digjital, tek arsimi, shëndetësia dhe energjia e pastër.
Gërvalla: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës të mbyllet gjatë Presidencës së Luksemburgut
Gërvalla: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës të mbyllet gjatë Presidencës së Luksemburgut / AA
14 Prill 2025

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë, Donika Gërvalla, është takuar në Luksemburg me zëvendëskryeministrin njëherësh ministrin e Jashtëm Xavier Bettel.

Gërvalla nëpërmjet rrjeteve sociale ka bërë të ditur se në këtë takim ka theksuar se zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut është jo vetëm i nevojshëm, por edhe strategjik, nga zhvillimi ekonomik e digjital, tek arsimi, shëndetësia dhe energjia e pastër.

“Ritheksova domosdoshmërinë që çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës të përmbyllet brenda Presidencës së Luksemburgut, si një hap i vonuar drejt barazisë institucionale. Po ashtu, kërkova përkrahje të qartë në heqjen e masave të padrejta ndaj vendit tonë”, shkroi Gërvalla.

Ministrja kosovare tha se ka vlerësuar gjithashtu lart praninë e trupave nga Luksemburgu në Kosovë, si pjesë e Detashmentit të përbashkët me Belgjikën, një kontribut i prekshëm për sigurinë në vend dhe në rajon.

Tutje, në takim me homologun e saj, Gërvalla ka shtuar se Kosova është plotësisht e përkushtuar ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja me Serbinë, por ky proces duhet të finalizohet me njohje reciproke, si e vetmja bazë për paqe të qëndrueshme në rajon.

Luksemburgu ka marrë Presidencën e Komitetit të Ministrave nga nëntori i vitit 2024.

Kosova ka aplikuar për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës nga muaji maj i vitit 2022.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us