RAJONI
2 minuta leximi
Komisarja evropiane Marta Kos në vizitë në Serbi mes tensioneve politike
Qytetarët e Serbisë meritojnë një të ardhme evropiane, theksoi Kos.
Komisarja evropiane Marta Kos në vizitë në Serbi mes tensioneve politike
Komisarja evropiane Marta Kos në vizitë në Serbi mes tensioneve politike / AA
18 orë më parë

Komisarja evropiane për zgjerim, Marta Kos, e ka nisur të martën një vizitë zyrtare në Serbi, duke theksuar se qëllimi i saj është t'i dëgjojë të gjitha palët dhe të ofrojë mbështetje për përpjekjet për tejkalimin e bllokadës politike aktuale.

“Serbia ka kaluar muaj të vështirë. Jam këtu për të dëgjuar dhe për ta përsëritur mbështetjen e BE-së për të gjithë ata që janë të përkushtuar për ta kapërcyer bllokadën politike të tanishme,” tha Kos në rrjetin social X.

Ajo shtoi se qytetarët e Serbisë “e meritojnë një të ardhme evropiane”, duke konfirmuar përkushtimin e Brukselit për rrugën evropiane të Serbisë, pavarësisht tensioneve të fundit.

Vizita e saj vjen në një moment të krizës së thellë politike, të shënuar nga protesta masive të studentëve dhe pakënaqësia e opinionit pas një aksidenti vdekjeprurës në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

Vendi për muaj me radhë është përballur me trazira, që në fund çuan në emërimin e Đuro Macutas si mandatar i ri për formimin e qeverisë.

Kos e nisi vizitën me një takim me përfaqësues të opozitës, duke dërguar një mesazh të qartë për mbështetjen e BE-së për dialogun demokratik.

Gjatë qëndrimit, pritet të takohet edhe me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin Đuro Macuta.

Kos do ta vizitojë Beogradin dhe Novi Sadin, ku do të zhvillojë takime me liderë politikë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe partnerë të Bashkimit Evropian në terren.


BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us