RAJONI
2 minuta leximi
Familjet e viktimave të zjarrit në Koçan organizuan protestë në Shkup
Protestuesit kërkuan dorëheqjen e të gjithë personave përgjegjës si dhe drejtësi për viktimat e zjarrit.
Familjet e viktimave të zjarrit në Koçan organizuan protestë në Shkup
Familjet e viktimave të zjarrit në Koçan organizuan protestë në Shkup / AA
21 orë më parë

Familjet e viktimave nga zjarri në lokalin e natës në Koçan sot organizuan një protestë para Prokurorisë Publike në Shkup.

Protestuesit kërkuan dorëheqjen e të gjithë personave përgjegjës si dhe drejtësi për viktimat e zjarrit.

"Përgjegjësia selektive nuk është përgjegjësi", "Vrasja e të rinjve, është vrasje e së ardhmes" ishin disa nga pankartat që familjet e viktimave mbanin, ndërsa nuk munguan edhe fotografitë e viktimave.

Disa nga familjet hynë në ndërtesën e Prokurorisë Publike, ndërsa pas fjalimit aty pranë familjet marshuan drejt ndërtesës së Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku ishte duke u mbajtur seancë parlamentare në të cilën diskutohej interpelanca për ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Para ndërtesës së Kuvendit, familjet e viktimave u takuan me disa deputetë të opozitës.

Ndërsa më pas protestuesit marshuan drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku u planifikua që ministri Toshkovski të takohet me familjet e të prekurve nga zjarri.

Në orët e para të mëngjesit të 16 marsit, në qytetin e Koçanit shpërtheu një zjarr në një lokal nate si pasojë e lëndëve piroteknike gjatë një mbrëmjeje argëtuese. Fillimisht nga zjarri humbën jetën 59 persona dhe më shumë se 170 të tjerë u plagosën.

Pasi edhe tre persona që ishin në trajtim humbën jetën në intervale të ndryshme kohore, numri i viktimave u rrit në 62.

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us