Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar marrëveshje institucionale e cila do të ndihmojë në evidentimin e kontributit të diplomacisë shqiptare gjatë luftës në Kosovë.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë në një postim në rrjetet sociale e ka konsideruar këtë si hap të mirë për ruajtjen dhe promovimin e kujtesës historike.
"Mes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë u nënshkrua marrëveshja institucionale, e cila do të ndihmojë në evidentimin e kontributit të diplomacisë shqiptare gjatë luftës në Kosovë", thuhet në njoftimin e ministrisë shqiptare.
Aty u bë e ditur se kjo marrëveshje do t'u hapë rrugë gjithashtu mundësive të reja për kërkime shkencore dhe aktivitete të përbashkëta "që na sjellin më afër me të vërtetat historike".
Marrëveshja u nënshkrua në selinë e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë në Tiranë.