Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka njoftuar se autoritetet e entitetit do ta ndërpresin më 15 maj zbatimin e Ligjit për financimin e institucioneve të Bosnjës e Hercegovinës në territorin e RS-së, duke akuzuar përfaqësuesin e lartë, Christian Schmidt, për shkelje të rendit kushtetues dhe veprim pa legjitimitet.
Në një takim të koalicionit qeverisës në Banja Luka, Dodik deklaroi se Schmidt është “i paligjshëm dhe turist”, dhe se “po instrumentalizon sistemin gjyqësor të Bosnjës e Hercegovinës”.
Ai theksoi se Republika Sërpska nuk do t’i njohë më institucionet që, sipas tij, nuk kanë legjitimitet kushtetues.
Kjo reagim vjen pasi përfaqësuesi i lartë Christian Schmidt shpalli se do të pezullojë financimin e partive Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) dhe Sërpska e Bashkuar nga fondet buxhetore në të gjitha nivelet e pushtetit në Bosnjë e Hercegovinë.
“Kam marrë vendim për pezullimin e të gjitha pagesave buxhetore për financimin e SNSD-së dhe Srpska-s së Bashkuar,” u tha Schmidt gazetarëve në Sarajevë, duke theksuar se fondet do të ridrejtohen në një llogari të veçantë në Bankën Qendrore të Bosnjës e Hercegovinës.
SNSD-ja dhe Sërpska e Bashkuar udhëhiqen nga presidenti i RS-së, Milorad Dodik, dhe kryetari i Kuvendit Popullor të RS-së, Nenad Stevandić, për të cilët Schmidt pohon se po shmangin drejtësinë e Bosnjës e Hercegovinës.
“Kemi marrë vendim t'i pezullojmë të gjitha institucionet jokushtetuese në territorin e Republikës Sërpska. Ajo që është e paligjshme nuk mund të bëhet e ligjshme,” deklaroi Dodik.