Furnizimi me energji elektrike është rikthyer në pjesën më të madhe të Spanjës dhe Portugalisë të martën, pas ndërprerjes së madhe të ndodhur të hënën.
“99.95 për qind e kërkesës është rikthyer”, njoftoi operatori kombëtar spanjoll i energjisë Red Electrica të martën në platformën X, ndërsa vazhdon të “normalizojë plotësisht” sistemin.
Operatori portugez i shpërndarjes së energjisë elektrike, E-Redes, gjithashtu konfirmoi se shërbimi është tanimë funksional, sipas gazetës Publico.
Ndërsa të dy vendet po përpiqen të kthehen në normalitet, qeveria portugeze ka planifikuar një mbledhje të re të Këshillit të Ministrave për mëngjesin e së martës.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez pritet gjithashtu të kryesojë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Natyrore, nën drejtimin e Mbretit të Spanjës, Felipe VI, sipas El Pais.
Rryma u ndërpre në të gjithë Portugalinë, Spanjën dhe Andorrën rreth mesditës së të hënës, duke prekur gjithashtu pjesë të Francës, ndërsa autoritetet janë ende duke hetuar shkaqet e ndërprerjes.
“Në orën 12:33 të mëngjesit, 15 gigavat prodhim energjie u humbën papritmas nga sistemi, brenda vetëm pesë sekondash. Kjo është diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë,” tha kryeministri spanjoll Sanchez gjatë një konference për shtyp të hënën vonë.
Duke theksuar se arsyeja ende nuk është përcaktuar, ai theksoi se “asnjë hipotezë apo mundësi nuk po përjashtohet”, teksa po analizohen shkaqet.
Furnizuesi spanjoll i energjisë Red Electrica gjithashtu e cilësoi ndërprerjen si “krejtësisht të pazakontë.”
Ndërkohë, kryeministri portugez Luis Montenegro tha të hënën mbrëma se origjina e ndërprerjes nuk ishte e lidhur me rrjetin elektrik portugez, duke treguar Spanjën si vendin ku filloi ngjarja, sipas Publico.
“Ka të bëjë me një rritje të papritur të tensionit në rrjetin elektrik spanjoll, origjinën e së cilës nuk jemi në gjendje ta shpjegojmë. E dimë që qe kjo rritje e tensionit që shkaktoi mekanizmat e sigurisë që çuan në këtë ndërprerje. Do ta vlerësojmë me qetësi me autoritetet spanjolle atë që ndodhi dhe do të përpiqemi të projektojmë instrumente më të mira reagimi”, shtoi Montenegro.
Operatori i rrjetit të energjisë në Portugali, REN, gjithashtu e mbështeti këtë pretendim, duke theksuar se ndërprerja ishte rezultat i një “defekti në rrjetin elektrik spanjoll” që lidhej me një “fenomen të rrallë atmosferik.”
“Variacionet ekstreme të temperaturës në Spanjë kontribuuan në këtë ndërprerje,” thanë zyrtarët e REN.
Mundësia e një sulmi kibernetik nuk është konfirmuar në atë moment as nga kryeministrat e Spanjës dhe Portugalisë, as nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, duke theksuar se “nuk ka asnjë tregues” për ndonjë sulm të tillë.