Parlamenti i Hungarisë votoi të martën për t’u tërhequr nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GjPN), njoftoi ministri i Jashtëm, Peter Szijjarto.
“Me këtë vendim, ne refuzojmë të jemi pjesë e një institucioni të politizuar që ka humbur paanshmërinë dhe besueshmërinë e tij,” shkroi Szijjarto në platformën X.
Më 3 prill, Hungaria njoftoi synimin për ta lënë GjPN-në, pak pas mbërritjes në Budapest të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për një vizitë katërditore.
Ndaj Netanyahut është lëshuar një urdhër arresti nga GjPN-ja për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës, ku më shumë se 50.500 persona janë vrarë që nga tetori i vitit 2023.
Vizita e tij në Hungari ishte udhëtimi i parë në tokën evropiane që nga lëshimi i urdhrit të arrestit.
Organizatat për të drejtat e njeriut, përfshirë Amnesty International dhe Human Rights Watch, i bënë thirrje Hungarisë ta arrestojë Netanyahun dhe ta dorëzojë te GjPN-ja, por këto thirrje u injoruan.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkak të luftës në Gaza.
Të martën, Afrika e Jugut i tha gjykatës se Izraeli po përdor urinë si armë kundër palestinezëve, në shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Të paktën 65% e palestinezëve të vrarë nga ofensiva ushtarake izraelite në Gaza janë gra, fëmijë dhe të moshuar, njoftuan të dielën autoritetet në Gaza.