Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier tha të hënën se forcimi i forcave të armatosura duhet të jetë prioriteti kryesor i qeverisë së re, duke marrë parasysh kërcënimet globale që po rriten.
„Sot, një Gjermani e armatosur dobët është një kërcënim më i madh për Evropën sesa një Gjermani e armatosur fort“, tha Steinmeier në selinë e NATO-s në Bruksel, gjatë një ceremonie që shënoi 70-vjetorin e anëtarësimit të Gjermanisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Steinmeier theksoi se lufta e Rusisë kundër Ukrainës, si dhe qëndrimi i presidentit amerikan Donald Trump ndaj Evropës, kanë krijuar një nevojë urgjente që Gjermania të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen evropiane, përveç mbështetjes ushtarake për Ukrainën.
„Një epokë po përfundon, dhe një tjetër po fillon, dhe ajo për momentin sigurisht nuk duket optimiste“, tha Steinmeier.
„Na duhet një ushtri e fortë, jo për të luftuar, por për ta parandaluar luftën. Dhe, si ish-diplomat, dëshiroj të shtoj: edhe politika jonë e jashtme ka nevojë për një ushtri të fortë, jo për ta zëvendësuar diplomacinë, por për t’i dhënë asaj besueshmëri“, shtoi ai.