Të paktën 65 për qind e palestinezëve të vrarë në ofensivën e vazhdueshme ushtarake të Izraelit në Gaza janë gra, fëmijë dhe të moshuar, sipas autoriteteve lokale të Gazës.
Zyra e Medias Qeveritare me seli në Gaza njoftoi se forcat izraelite kanë vrarë mbi 18.000 fëmijë dhe 12.400 gra që nga 7 tetori 2023, ndërsa kanë zhdukur 2.180 familje të tëra.
Ajo shtoi se 5.070 familje të tjera tani mbijetojnë vetëm me një anëtar të mbetur.
Sulmet izraelite kanë vrarë gjithashtu 1.400 personel mjekësor, 212 gazetarë dhe 750 punonjës ndihmash. Në komunikatë gjithashtu thuhet se "sulmet sistematike ... kanë shembur sistemin e kujdesit shëndetësor të Gazës dhe janë përpjekur të heshtin të vërtetën".
Nga zyra konfirmojnë se faktet në terren, së bashku me dëshmitë nga pilotët izraelitë dhe rrjedhjet ushtarake, të cituara nga organizatat e të drejtave të njeriut, pranojnë bombardimin e qëllimshëm të shtëpive dhe lagjeve të civilëve.
"Faktet nuk lënë dyshim se shënjestrimi i civilëve në Gaza është një politikë sistematike e pushtimit izraelit brenda planit të tij për të kryer krimet e gjenocidit dhe spastrimit etnik", thonë nga Zyra për Media në Gaza.
Ushtria izraelite rifilloi sulmin e saj ndaj Gazës më 18 mars, duke shkelur një armëpushim dhe marrëveshje shkëmbimi të pengjeve të dakorduar më 19 janar.
Izraeli ka vrarë më shumë se 52.200 palestinezë në enklavë që nga tetori 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi fletarreste nëntorin e kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.