Ushtria izraelite arrestoi të paktën 22 palestinezë dhe shembi katër shtëpi të tjera në pronësi të palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar të martën.
Një gazetar dhe katër gra ishin mes të të ndaluarve gjatë bastisjeve që synuan disa qytete në Bregun Perëndimor, sipas një deklarate të përbashkët nga Komisioni i Çështjeve të të Burgosurve dhe Shoqata e të Burgosurve Palestinezë.
Gjatë bastisjeve, forcat izraelite sulmuan disa shtëpi, dëmtuan pronat dhe mbajtën persona për hetime në terren, thuhet në deklaratë.
Arrestimet e së martës e çuan numrin e palestinezëve të ndaluar nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor që nga tetori i vitit 2023 në mbi 16.400, përfshirë edhe ata që janë liruar pas arrestimit, sipas shifrave palestineze.
Ky numër nuk përfshin të arrestuarit nga Rripi i Gazës, numri i të cilëve llogaritet në mijëra.
Ndërkohë, ushtria izraelite shembi katër shtëpi palestineze dhe struktura bujqësore e blegtorale në pjesën qendrore dhe jugore të Bregut Perëndimor, me pretendimin e mungesës së lejeve të ndërtimit, sipas dëshmitarëve.
Sipas tyre, forcat izraelite bastisën fshatin Al-Zweidin, në jug të qytetit Hebron, dhe rrafshuan dy shtëpi, pesë stalla për bagëti dhe një pus uji.
Dy shtëpi të tjera u shembën nga forcat izraelite në qytetin Qibya, në perëndim të Ramallahut.
Izraeli përdor gjerësisht si justifikim mungesën e lejeve të ndërtimit për të shembur shtëpitë palestineze, veçanërisht në Zonën C të Bregut Perëndimor të pushtuar, e cila është nën kontrollin administrativ dhe të sigurisë të Izraelit dhe përbën rreth 60 për qind të territorit të Bregut Perëndimor.
Sipas Marrëveshjes së Oslos të vitit 1995 mes Izraelit dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Bregu Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor, u nda në tre zona: A, B dhe C.
Gati 960 palestinezë janë vrarë dhe mbi 7.000 të tjerë janë plagosur në sulmet e ushtrisë izraelite dhe kolonëve të paligjshëm në Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023, sipas të dhënave palestineze.
Në korrik 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshme pushtimin shumëdekadësh të territoreve palestineze nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve ekzistuese në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor.