Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, të martën mbështeti përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për paqen në Ukrainë, gjatë një takimi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në qytetin e Odesës, ku rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës kundër Rusisë.
Rutte dhe Zelenskyy vizituan një spital ushtarak dhe takuan ushtarët e plagosur pas sulmit të fundit me raketa të Rusisë në Sumy.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, Rutte theksoi se aleanca ka një angazhim “të palëkundur” ndaj Ukrainës, duke e quajtur mbështetjen e saj “të qartë dhe konkrete”.
“NATO-ja është me Ukrainën. Ti dhe unë e dimë se kjo ka qenë gjithmonë e vërtetë”, tha Rutte, duke iu përgjigjur dyshimeve rreth mbështetjes së vazhdueshme. “Por të mos ketë asnjë dyshim. Mbështetja jonë është e palëkundur.”
Ai shtoi se NATO-ja vazhdon të ofrojë ndihmë për sigurinë dhe trajnim përmes komandës së saj në qytetin gjerman Wiesbaden dhe bashkëpunon ngushtë me Kievin dhe Brukselin.
“Në tre muajt e parë të vitit 2025, partnerët e NATO-s kanë ofruar tashmë më shumë se 20 miliardë euro për të ndihmuar Ukrainën”, tha ai, duke iu referuar zotimeve të reja gjatë takimit të fundit Ramstein në Bruksel.
Rutte theksoi se qëllimi është që Ukraina të mbetet e fortë dhe sovrane, e aftë për t’u mbrojtur dhe për të penguar “agresione të ardhshme”.
Sa u përket përpjekjeve diplomatike të Trump për t’i dhënë fund luftës që ka kaluar tre vjet, Rutte tha: “Këto bisedime nuk janë të lehta, veçanërisht pas kësaj dhune të tmerrshme, por të gjithë mbështesim përpjekjet e presidentit Trump për paqe.”
“Edhe aleatë të tjerë, përfshirë përpjekjet e udhëhequra nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë të gatshëm dhe të aftë të marrin më shumë përgjegjësi për të ndihmuar në sigurimin e paqes kur të vijë koha.”
“Populli i Ukrainës ka duruar shumë, sidomos sulmin e Rusisë të Dielën e Palmës në Sumy. Mbështetja e NATO-s është e palëkundur,” shkroi ai veçmas edhe në X. “Do të vazhdojmë të ndihmojmë Ukrainën që të mbrohet sot dhe të parandalojë agresione të ardhshme, duke siguruar paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.”
Presidenti Zelenskyy, nga ana e tij, tha se është e rëndësishme që Britania, Franca dhe vende të tjera të NATO-s “tashmë po përgatisin në mënyrë aktive bazën për një kontingjent sigurie në Ukrainë.”
“Është thelbësore që të jemi mjaftueshëm të shpejtë dhe efektivë në këtë proces,” shkroi ai në Telegram. “Dhe misioni i NATO-s për ndihmë të sigurisë dhe trajnim për Ukrainën në Wiesbaden duhet të funksionojë po aq efektivisht.”
Zelenskyy ndau medalje shtetërore për ushtarët e plagosur dhe vlerësoi “forcën dhe qëndrueshmërinë” e tyre, duke nderuar edhe mjekët luftarakë për shpëtimin e jetëve nën zjarr në Kherson, Kharkiv dhe Mykolaiv.
“Faleminderit të gjithëve që mbrojnë, kurojnë, qëndrojnë dhe mbështesin Ukrainën. Ju jeni forca jonë”, shtoi ai.
Të dielën, të paktën 35 persona humbën jetën dhe 117 u plagosën në një sulm me raketa ruse në qytetin verilindor Sumy, rreth 31 kilometra nga kufiri me Rusinë, sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës. Rusia pretendon se ka goditur një takim zyrtarësh ushtarakë ukrainas në Sumy.