Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, kritikoi ashpër Presidentin rus Vlladimir Putin për mungesën e tij në bisedimet direkte për paqe që po zhvillohen në Türkiye.
Gjatë fjalës së tij në samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Tiranë të premten, Zelenskyy shprehu zhgënjimin për atë që e përshkroi si një mundësi të humbur për të ndërmarrë hapa domethënës drejt përfundimit të luftës së vazhdueshme në Ukrainë.
Türkiye po pret bisedimet për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës më 15-16 maj në Zyrën Presidenciale të Punës në Dolmabahçe, në lstanbul.
"Këtë javë kishim një mundësi të vërtetë për të ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt përfundimit të kësaj lufte, nëse vetëm Putini nuk do të kishte pasur frikë të vinte në Türkiye", tha Zelenskyy.
"Isha dje në Ankara dhe isha i gatshëm për një takim të drejtpërdrejtë me Putinin, qoftë në Ankara apo në Istanbul, dhe jo thjesht për një takim, por për të zgjidhur të gjitha çështjet e rëndësishme. Por ai nuk pranoi asgjë."
Duke folur së bashku me Kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe liderë të tjerë evropianë, Zelenskyy gjithashtu kritikoi përbërjen e delegacionit rus të pranishëm në raundin më të fundit të bisedimeve në lstanbul, duke e cilësuar atë si të pamjaftueshëm dhe pa autoritet vendimmarrës.
"Siç mund ta shihni, delegacioni rus që erdhi në Istanbul është në një nivel shumë të ulët. Asnjëri prej tyre nuk është person që merr vendime në Rusi. Megjithatë, unë dërgova një ekip në Istanbul, të kryesuar nga ministri i mbrojtjes së Ukrainës, të paktën për të parë nëse këta rusë janë në gjendje të vendosin për diçka”, tha ai.
Duke theksuar koston njerëzore të konfliktit dhe urgjencën për përparim diplomatik, Zelenskyy përsëriti objektivin kryesor të Ukrainës në këto bisedime: vendosjen e një armëpushimi.
"Prioriteti ynë numër një është një armëpushim i plotë, i pakushtëzuar dhe i ndershëm. Kjo duhet të ndodhë menjëherë për t'i ndalur vrasjet dhe për të krijuar një bazë solide për diplomacinë."
"Dhe nëse përfaqësuesit rusë në Istanbul sot nuk mund të bien dakord as për këtë, për një armëpushim, për këtë hap kaq qartësisht të domosdoshëm, atëherë do të jetë 100% e qartë që Putin vazhdon ta minojë diplomacinë", shtoi ai.