Me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ministrja për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare e e Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, sot zhvilloi vizitë zyrtare në vend.
Siç njofton Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut, fokusi kryesor i bisedimeve ishte avancimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe dhe riafirmimi i mbështetjes së Austrisë për procesin e integrimit evropian të vendit.
Gjatë bisedimeve, dy kryediplomatët kanë konkluduar se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të shkëlqyera – politikisht të qëndrueshme, ekonomikisht të forta dhe me respekt dhe besim të ndërsjellë.
Duke folur para mediave, Mucunski komentoi bashkëpunimin ekonomik, duke theksuar rolin e Austrisë si investitori i madh në vend dhe kontributin e saj të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik. Në këtë drejtim, ai konfirmoi gatishmërinë e ministrisë dhe qeverisë së vendit për të kontribuar në mënyrë aktive në rritjen e shkëmbimit tregtar, duke nxitur bashkëpunime të reja dhe duke tërhequr investime austriake, veçanërisht në fushat e infrastrukturës, turizmit dhe energjisë.
“Ne e vlerësojmë veçanërisht mbështetjen parimore dhe të vazhdueshme që Austria i ofron perspektivës evropiane të vendit tonë dhe të gjithë rajonit”, tha Mucunski.
Ndërkaq, Meinl-Reisinger, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, nënvizoi se Maqedonia e Veriut është një pjesë e rëndësishme e Evropës dhe se Austria mbështet fuqimisht perspektivën e saj evropiane.
“Ne shohim se sa shumë është bërë nga ana juaj dhe sa lëshime keni bërë. Kanë kaluar 20 vjet që nga fillimi i kësaj rruge dhe tani jemi të detyruar të sigurohemi që çështjet dypalëshe të mbeten dypalëshe dhe të mos bëhen pengesë në proces”, theksoi ajo.
Ministri Mucunski po ashtu ka shprehur mirënjohje për ndihmën dhe solidaritetin e Austrisë pas zjarrit tragjik në një lokal nate në qytetin Koçanit në muajin mars, pasi disa nga të lënduarit u trajtuan në spitalet në Vjenë dhe Grac.