BOTA
3 minuta leximi
Irani: Nuk kemi marrë asnjë propozim të shkruar nga ShBA-ja
Mesazhet që Irani dhe bota po marrin nga ShBA-ja janë “të paqarta dhe kontradiktore”, thotë ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi.
Irani: Nuk kemi marrë asnjë propozim të shkruar nga ShBA-ja
Abbas Araghchi / Reuters
16 Maj 2025

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi të premten se Teherani nuk ka marrë asnjë propozim të shkruar nga Shtetet e Bashkuara, as drejtpërdrejt e as në mënyrë të tërthortë.

Në një deklaratë të postuar në X (ish-Twitter), Araghchi tha se mesazhet që Irani dhe bota po marrin nga ShBA-ja janë “konfuzuese dhe kontradiktore.”

Deklarata e tij erdhi vetëm disa orë pasi Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi Iranin se do të përballej me “diçka të keqe” nëse nuk pranonte shpejt një propozim të SHBA-së lidhur me programin bërthamor të vendit.

“Ata e kanë një propozim – dhe më e rëndësishmja, e dinë se duhet të veprojnë shpejt, ndryshe do të ndodhë diçka e keqe, diçka e keqe”, u shpreh Trump për gazetarët në bordin e Air Force One, teksa kthehej në Uashington pas turneut në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, Trump nuk dha hollësi për propozimin, i cili vjen pas katër raundeve të negociatave të tërthorta bërthamore mes Iranit dhe ShBA-së, të ndërmjetësuara nga Omani.

Raundi i fundit i bisedimeve u mbajt në Muskat të dielën, ku palët diskutuan “çështje të ndjeshme”, sipas Ministrisë së Jashtme iraniane.

Araghchi, i cili është gjithashtu negociatori kryesor bërthamor i Iranit, theksoi se Teherani “mbetet i vendosur dhe i qartë” në negociatat me Uashingtonin.

“Respektoni të drejtat tona dhe hiqni sanksionet tuaja, dhe kemi marrëveshje.

Mbani mend fjalët e mia: nuk ka asnjë skenar ku Irani heq dorë nga e drejta e tij e fituar me mund për pasurim të uraniumit për qëllime paqësore, një e drejtë e garantuar për të gjithë nënshkruesit e Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore (NPT)”, tha ai.

Diplomati i lartë theksoi se Irani “gjithmonë ka mirëpritur dialogun” mbi bazën e “respektit të ndërsjellë”, duke shtuar se Teherani ka treguar “fuqinë dhe qëndrueshmërinë” përballë atyre që kanë tentuar imponime.

Gjatë udhëtimit të tij katërditor në Lindjen e Mesme, Trump nënvizoi se ShBA-ja “po i afrohet” një marrëveshjeje me Iranin, duke gjallëruar shpresat teksa negociatat përparojnë pavarësisht luftës së fjalëve mes palëve.

Në një intervistë këtë javë për NBC, Ali Shamkhani, këshilltar i lartë i Liderit Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se Irani kurrë nuk do të ndërtojë një armë bërthamore dhe do të dërgonte jashtë vendit uraniumin e pasuruar nëse Trumpi do të hiqte sanksionet.

Ndërkohë, të premten, Irani dhe Treja Evropiane (Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar) zhvilluan bisedime në Stamboll mbi negociatat bërthamore të Iranit me ShBA-në – bisedime që vijnë në një kohë kur evropianët kanë kërcënuar me rikthimin e sanksioneve amerikane ndaj Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Araghchi kishte paralajmëruar më herët se një hap i tillë nga E3 do të kishte pasoja “të pakthyeshme” dhe do të rrezikonte “provokimin e një krize globale të përhapjes bërthamore.”

BURIMI:TRT Balkan dhe agjencitë
Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us