RAJONI
4 minuta leximi
Mbështetje për stabilitetin: Türkiye dhuroi BeH-së sistemin anti-dron “Kangal”
“Siguria dhe stabiliteti i Bosnje e Hercegovinës përbëjnë një nga prioritetet tona kryesore në Ballkan”, tha ambasadori turk në Sarejvë.
Mbështetje për stabilitetin: Türkiye dhuroi BeH-së sistemin anti-dron “Kangal”
Mbështetje për stabilitetin: Türkiye dhuroi BeH-së sistemin anti-dron “Kangal” / AA
16 Maj 2025

Në kazermën Rajlovac në Sarajevë, të premten u mbajt ceremonia zyrtare e dorëzimit të sistemit anti-dron “Kangal”, i cili u dhurua nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Republikës së Türkiyes për Forcat e Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës, duke përfaqësuar një hap të rëndësishëm në përmirësimin e aftësive të FA të BeH-së.

Në ceremoni morën pjesë ministri i Mbrojtjes së BeH Zukan Helez, ambasadori i Türkiyes në BeH Emin Akseki, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të BeH, Ambasada e Republikës së Türkiyes, Shtabi i NATO-s në Sarajevë dhe EUFOR-i.

Ministri Helez gjatë fjalimit të tij theksoi rëndësinë e këtij donacioni për Bosnje e Hercegovinën:

"Ky është një nga sistemet anti-dron më modernë dhe cilësorë në botë, dhe mund të kontrollojë çdo mjet fluturues nga çdo shtet i botës, përfshirë ato më të fuqishmet nga Kina, Rusia dhe ShBA-të, kështu që përmes këtij sistemi kemi zgjidhur shumë nga problemet që i përballojnë shtetet shumë më të zhvilluara dhe ushtarakisht më të forta në botë", tha Helez.

Ai shprehu mirënjohjen ndaj Türkiyes mike, presidentit Recep Tayyip Erdoğan, ministrit, ambasadorit dhe atasheut ushtarak, të cilët ndihmuan dhe morën pjesë në dorëzimin e donacionit.

"Me këtë, Forcat e Armatosura të BiH janë bërë edhe më të afta dhe mund të jenë konkurruese në rajon me të gjitha forcat e tjera të armatosura", shtoi ai.

“Siguria dhe stabiliteti i BiH janë prioritet i Türkiyes në Ballkan”

“Siguria dhe stabiliteti i Bosnje dhe Hercegovinës përbëjnë një nga prioritetet tona kryesore në Ballkan”, tha ambasadori Akseki në fjalën e tij, duke theksuar se Republika e Türkiyes e ka mbështetur BeH që nga shpallja e pavarësisë dhe do të vazhdojë ta mbështesë.

“Në kuadër të bashkëpunimit tonë të gjerë, marrëdhëniet e ngushta ushtarake ndërmjet forcave tona të armatosura zënë një vend të rëndësishëm. Në kuadër të rritjes së kapaciteteve të forcave të armatosura të Bosnje e Hercegovinës dhe mbështetjes për procesin e anëtarësimit në NATO, dua të theksoj se është kënaqësi e madhe të ofrojmë ndihmë në trajnimin e personelit ushtarak, mirëmbajtjen dhe riparimin e mjeteve dhe pajisjeve, si dhe në aktivitetet e modernizimit. Kontributi ynë në misionin EUFOR Althea, që përfaqëson forcat paqeruajtëse të BE-së në Bosnje e Hercegovinë dhe që vepron në bashkëpunim me NATO-n, është dëshmi e mbështetjes së rëndësishme ushtarake që i japim BiH-së", tha Akseki.

Ai kujtoi se që nga viti 1995 janë nënshkruar gjithsej 47 marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi ushtarak ndërmjet Türkiyes dhe BeH, prej të cilave 28 janë ende në fuqi.

"Dua të theksoj se me anëtarësinë tonë në Këshillin për Zbatimin e Paqes dhe me pjesëmarrjen në misionin EUFOR Althea, do të vazhdojmë të kontribuojmë për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Bosnje dhe Hercegovinë, por edhe në të gjithë rajonin. Gjithashtu, dëshiroj të theksoj se do të vazhdojmë me vendosmëri të japim mbështetje të fortë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje dhe Hercegovinës", përfundoi ambasadori Akseki.

Sistemi anti-dron “Kangal”

Kangal FPV, i zhvilluar nga kompania turke ASELSAN, mbron objektet kyçe, zonat ushtarake dhe zonat strategjike urbane dhe rurale nga kërcënimet e paraqitura nga dronët mini/mikro (UAV) dhe sistemet FPV.

Sistemi anti-dron Kangal FPV është projektuar për të mbrojtur objektet strategjike ushtarake dhe civile nga kërcënimet e dronëve mini dhe mikro. Sistemi ndërhyn aktivisht në të gjitha sinjalet përkatëse që përdorin dronët FPV, duke përfshirë GPS, GLONASS, GALILEO dhe BEIDOU, si dhe frekuencat për telekomandë dhe telemetri.

Kangal është një sistem i përcaktuar nga softueri për ndërhyrje të sinjaleve dhe mund të programohet për të mbuluar të gjithë spektrin e frekuencave sipas nevojave të përdoruesit. Ky sistem ofron një zgjidhje efikase dhe fleksibile për kërkesat operative. Ai mund të programohet lehtësisht për të përballuar kërcënimet e reja në zhvillim dhe ofron mbrojtje afatgjatë.

Hidhini një sy TRT Global. Ndani komentet tuaja!
Contact us