Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar se për Bashkimin Evropian, zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor është investimi më i madh gjeopolitik që ne po bëjnë për momentin dhe sipas tij është momenti i duhur.
Costa po qëndron për vizitë në Shqipëri në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, ndërkohë që është takuar me kryeministrin Edi Rama, ndërsa pas takimit u mbajt një konferencë e përbashkët për mediat.
Kryeministri Rama deklaroi se diskutuan për aspektet që lidhen me Këshillin Evropian dhe BE-në dhe procesin drejt anëtarësimit në BE, që sipas tij po ecën shumë mirë.
"Sot Shqipëria është zyrtarisht në tryezën e negociatave me 16 kapituj të hapur, 8 kapituj të tjerë do të hapen në ditët në vijim dhe synojmë që t'i hapim të gjithë kapitujt brenda vitit. Plani i përbashkët me Komisionin Evropian dhe i mbështetur nga vendet anëtare është që të arrijmë të mbyllim negociata në harkun e tre viteve, pra në 2027. Është një plan shumë ambicioz, por është një mundësi e jashtëzakonshme për ne", tha Rama.
Duke theksuar se aspekti tjetër për të cilin folën me Presidentin e Këshillit Evropian është ecuria në tërësi e rajonit, Rama shtoi se "sepse dhe kjo është e lidhur me arsyen pse BE sot është në gatishmërinë më të lartë për të pranuar anëtarë të tjerë konteksti gjeopolitik është i tillë dhe unë dëshiroj që të përfitoj nga rasti dhe sot, por patjetër dhe nesër, kjo do jetë pjesë e diskutimit që t’i ftoj të gjithë kolegët e rajonit, miqtë e mi që të mos e humbasim këtë moment që historia na e ka sjellë në derë".
Costa: Shqipëria është mishërimi i procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian
Presidenti i Këshillit Evropian, Costa, duke uruar kryeministrin Rama për fitoren në zgjedhje, tha se rezultati i zgjedhjeve konfirmoi edhe një herë dëshirën e qytetarëve shqiptarë për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
Costa u shpreh se Shqipëria është mishërimi i procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke qenë sipas tij në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në BE.
"Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është objektivi ynë i përbashkët. Ne gjithashtu qëndrojmë së bashku në arenën ndërkombëtare, natyrisht të vendosur për të thelluar bashkëpunimin për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë dhe mbrojtjen", tha ai.
Costa theksoi se Evropa nuk do të thotë vetëm begati dhe vlera, por sipas tij Evropa ka nevojë që të ketë një të ardhme përbashkët.
"Ne do të shikojmë dita-ditës se çfarë po bën Shqipëria, arritjet e Shqipërisë dhe sapo të kemi përfunduar procesin në atë moment Shqipëria do të bëhet shtet anëtar i BE-së, pse jo madje edhe më përpara vitit 2030. Në rast se Shqipëria do të vijojë me këto rezultate, me të njëjtin ritëm atëherë është tërësisht e mundur që Shqipëria të bëhet shtet anëtar i BE-së përpara vitit 2030", tha Costa.
Costa do të takohet edhe me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.