Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare po organizon në Prishtinë konferencë ekonomike me qëllim të krijimit të urave të bashkëpunimit midis bizneseve të huaja dhe atyre vendore.
Konferenca dyditore, më 16 dhe 17 maj, ka qëllim të lidhë bizneset shqiptare që operojnë në vende të ndryshme evropiane dhe botërore, me bizneset në Kosovë.
Ngjarja mblodhi qindra përfaqësues të bizneseve nga diaspora dhe nga rajoni, duke ofruar një hapësirë të rëndësishme për takime B2B, panele diskutimi dhe vizita në biznese vendore.
Kryetari i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare, Omer Nura tha se rrjetëzimi forcon ekonominë e Kosovës dhe ai është forca kryesore për ndryshime pozitive.
"Të lidhim diasporën me vendlindjen, të krijojmë ura bashkëpunimi mes bizneseve tona dhe të forcojmë ekonominë tonë përmes rrjetëzimit", tha Nura duke folur për qëllimet e kësaj konference.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se shumë kompani të suksesshme të diasporës nëpër vende evropiane, po hapin degë edhe në Prishtinë, duke ndihmuar edhe vendin.
Rama tha se në kryeqytetin kosovar ka një ekosistem të mrekullueshëm për inovacion dhe sipërmarrësi.
"Kemi krijuar zyrën ndërlidhëse brenda komunës së Prishtinës sepse e di që për secilin biznes, aspekti kryesor negativ është çështja burokratike e bizneseve dhe po mundohemi që sa më shumë t'i eliminojmë këto burokraci. Pra, secili prej jush që është i interesuar të vijë të bazohet në kryeqytet, t'ua heqim burokracinë sa më shumë që është e mundur", theksoi Rama.
Konferenca ekonomike shihet si pikë kyçe për rrjetëzim dhe zhvillim ekonomik e cila ndër vite ka mundësuar rezultate konkrete dhe marrëveshje të ndryshme midis palëve.